Përballja me tregun e punës, për dikë që sapo ka dalë nga auditorët e universitetit nuk është qëllon të jetë gjithmonë intimiduese apo tronditëse. Studentët e Universitetit Europian të Tiranës, që në vitet e ciklit Bachelor kanë mundësinë ta njohin tregun e vërtetë të punës, pa dalë nga godina e institucionit. Panairi i Punës, i cili shënoi edicionin e tij të 12-të në UET, solli para të rinjve njëqind biznese, që paraqitën ofertën e tyre. Ky aktivitet, i kthyer tashmë në traditë dhe një pikë të fortë lidhjeje të botës akademike me atë të biznesit, iu mundëson të rinjve të marrin informacion dhe të krijojnë kontakte me kompani, operatorë dhe institucione të ndryshme për kryerjen e praktikave profesionale dhe për mundësi punësimi. Përvoja e gjatë e këtij panairi të punës ka shënuar qindra raste suksesi, ku studentë të sapodiplomuar kanë gjetur punë gjatë ditëve kur është zhvilluar ai, në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës.
“Bashkëpunimi me industrinë për ne është thelbësor, për të garantuar këtë tranzicion të të rinjve, për t’iu bashkuar kësaj bote sfiduese të tregut të punës”, do të shprehej presidenti i UET, Selami Xhepa në ceremoninë e çeljes së Panairit të Punës 2022, mëngjesin e së mërkurës.
Ky vit akademik në Universitetin Europian të Tiranës pret të diplomojë 850 studentë, në profile të ndryshme në Ekonomi, Drejtësi, Shkenca Politike, Marrëdhënie Ndërkombëtare, Shkenca Humane, Edukim dhe Arte Liberale , Shkenca Mjekësore ,si edhe Informatikë, Inxhinieri dhe Arkitekturë, që përbëjnë edhe shtyllat e pesë fakulteteve të këtij universiteti.