Departamenti i Komunikimit në UET, në bashkëpunim me Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Autoritetin e Mediave Audiovizive, organizoi një forum mbi menaxhimin e gjuhës së urrejtjes në media, në formën e denigrimit apo stigmatizmit
Në epokën dixhitalizimit, fjala mbërrin më shpejt se era dhe bashkë me shumë të mira që ka ky proces, merr me vete edhe elementë negativë, siç është gjuha e urrjetjes. Në fakt, diskriminimi nuk është fenomen i ri apo i kohërave që jetojmë, por në kushtet aktuale bëhet më i dukshëm dhe ka më shumë impakt. Në këtë kuadër, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive kanë ndërmarrë një fushatë për të sfiduar urrjtjen dhe për t’i thënë jo diskriminimit, për të ndërgjegjësuar sa më shumë aktorë apo elementë të shoqërisë shqiptare. Në një forum të zhvilluar në Universitetin Europian të Tiranës, me studentë të medias dhe komunikimit, nën moderimin e Dekanes Belina Budini, u fol më gjerë për këtë fenomen, sesi shfaqet në realitetin dhe përditshmërinë shqiptare, apo më gjerë, se cilët janë grupet më të diskriminuara, sesi është luftuar ky fenomen deri tani dhe çfarë mund të bëhet për të qenë më i frytshëm më tej.