Kur mora ftesën për promovimin e librit, ndonëse një pasdite e nxehtë vere, u ndodha në sallë ndër të parët. Tek dera takoj zëdhënësen e ministres së Ekonomisë dhe Financave, një gazetare me përvojë, mike e vjetër. Do vijë ministrja i them? – Po, po- më thotë. Epo shumë mirë, duhet të dëgjojë akademikët i them, se nuk bëhet politikë në ajër, jashtë konteksteve dhe pa një bashkëpunim mes aktorëve të interesuar. Qeshi- mbase ngaqë e njeh shpirtin tim opozitar. Në fakt nuk është risi që dy profesorët Angjeli dhe Civici, aq aktivë në të përditshmen e shoqërisë shqiptare, autorë të një triologjie, sepse tashmë ky është libri i tretë pas “Kriza ekonomike në kohën e Koronavirusit” dhe “Përballë krizës-Sfidat e teorisë dhe politikave ekonomike”, vijnë pranë audiencës shqiptare të studiuesve dhe politikbërësve me një libër të konceptuar krejt ndryshe, me trajtesa teorike, historike, gjeopolitike, me pyetje e përgjigje, me argumenta teorikë dhe risi praktike të një krize të re e vendosur në një skenë gjeopolitike e gjeoekonomike globale, po aq sa shqiptare. Një krizë e re, Shqipëria është brenda saj! Çfarë do të ndodhë? Ku po shkojmë?